PHPWord

 

 

 

 

التَّحْذِيرُ مِنَ البِدَعِ

 

 

 

Paralajmërimi nga bidatet

 

 

لِسَمَاحَةِ الشَّيْخِ العَلَّامَةِ

عَبْدِ العَزِيزِ بْنِ عَبْدِ اللهِ بْنِ بَازٍ

رَحِمَهُ اللهُ

 

Autori: Hoxha i nderuar

Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz

 

 


بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ

Broshura e pestë:

Gjykimi mbi festimin e datëlindjes së Profetit ﷺ dhe i datëlindjeve të tjera.

Falënderimet i takojnë Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen, shokët dhe ata që ecin sipas udhëzimit të tij!

Është përsëritur shpesh nga shumëkush pyetja rreth gjykimit mbi festimin e mevludit të Pejgamberit ﷺ, ngritjes në këmbë në shenjë nderimi për të gjatë festimit dhe dërgimit të selamit mbi të, si dhe gjërave të tjera që bëhen në mevlude.

Përgjigjja është: Nuk lejohet festimi i mevludit (datëlindjes) të Profetit (paqja qoftë mbi të) e as i të tjerëve; sepse kjo bën pjesë te bidatet (risi) të shpikura në fe; këtë nuk e ka bërë Profeti (paqja qoftë mbi të), as kalifët e drejtë, as shokët e tij të tjerë, e as ata që i pasuan me mirësi në brezat më të mirë; ata ishin njerëzit më të ditur për sunetin, më të përsosur në dashurinë për Profetin (paqja qoftë mbi të), dhe më të përsosur në pasimin e sheriatit të tij, sesa ata që erdhën pas tyre. I Madhërishmi në Librin e Tij të qartë thotë:

﴿...وَمَآ ءَاتَىٰكُمُ ٱلرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَىٰكُمۡ عَنۡهُ فَٱنتَهُواْ...﴾

"Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t'ua ndalojë, hiqni dorë prej saj."

(El Hashr, 7) Po ashtu Allahu i Madhërishëm ka thënë:

﴿...فَلۡيَحۡذَرِ ٱلَّذِينَ يُخَالِفُونَ عَنۡ أَمۡرِهِۦٓ أَن تُصِيبَهُمۡ فِتۡنَةٌ أَوۡ يُصِيبَهُمۡ عَذَابٌ أَلِيمٌ﴾

"Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, se mos i kap ndonjë sprovë ose mos i godet një dënim i dhembshëm." [En-Nur: 63] Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë:

﴿لَّقَدۡ كَانَ لَكُمۡ فِي رَسُولِ ٱللَّهِ أُسۡوَةٌ حَسَنَةٞ لِّمَن كَانَ يَرۡجُواْ ٱللَّهَ وَٱلۡيَوۡمَ ٱلۡأٓخِرَ وَذَكَرَ ٱللَّهَ كَثِيرٗا21﴾

"Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun." (El Ahzab, 21) Allahu i Lartësuar thotë:

﴿وَٱلسَّٰبِقُونَ ٱلۡأَوَّلُونَ مِنَ ٱلۡمُهَٰجِرِينَ وَٱلۡأَنصَارِ وَٱلَّذِينَ ٱتَّبَعُوهُم بِإِحۡسَٰنٖ رَّضِيَ ٱللَّهُ عَنۡهُمۡ وَرَضُواْ عَنۡهُ وَأَعَدَّ لَهُمۡ جَنَّٰتٖ تَجۡرِي تَحۡتَهَا ٱلۡأَنۡهَٰرُ خَٰلِدِينَ فِيهَآ أَبَدٗاۚ ذَٰلِكَ ٱلۡفَوۡزُ ٱلۡعَظِيمُ100﴾

"Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!" (Et Teube, 100) Allahu i Lartësuar thotë:

﴿...ٱلۡيَوۡمَ أَكۡمَلۡتُ لَكُمۡ دِينَكُمۡ وَأَتۡمَمۡتُ عَلَيۡكُمۡ نِعۡمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ ٱلۡإِسۡلَٰمَ دِينٗا...﴾

"Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj." (El Maide, 3) Ajetet në këtë kontekst janë të shumta. Është e vërtetuar se Pejgamberi ﷺ ka thënë:

«مَنْ أَحْدَثَ فِي أَمْرِنَا هَذَا مَا لَيْسَ مِنهُ فَهُوَ رَدٌّ».

"Kushdo që shpik në çështjen (fenë) tonë diçka që nuk është prej saj, ajo gjë është e refuzuar." Pra, i refuzohet atij. Po ashtu ka thënë në një hadith tjetër:

«عَلَيكُم بِسُنَّتِي وَسُنَّةِ الخُلَفَاءِ الرَّاشِدِينَ المَهْدِيَّينَ مِنْ بَعدِي، تَمَسَّكُوا بِهَا، وَعَضُّوا عَلَيهَا بِالنَّوَاجِذِ، وَإِيَّاكُمْ وَمُحْدَثَاتِ الأُمُورِ، فَإِنَّ كُلَّ مُحْدَثَةٍ بِدْعَةٌ وَكُلَّ بِدْعَةٍ ضَلَالةٌ».

"Kapuni fort pas traditës sime dhe traditës së kalifëve të drejtë e të përudhur pas meje, përmbajuni asaj dhe shtrëngojeni fort me dhëmballë, ruajuni nga gjërat e shpikura, ngase çdo gjë e shpikur është bidat dhe çdo bidat është lajthitje!" Në këto dy hadithe gjendet paralajmërim i ashpër kundër shpikjes së bidateve (risive) në fe dhe veprimit sipas tyre.

Shpikja e mevludeve të tilla nënkupton se Allahu i Lartësuar nuk ia ka plotësuar fenë këtij umeti, dhe se Profeti ﷺ nuk e përcolli atë që i duhet umetit të veprojë, derisa erdhën këta të mëvonshmit dhe shpikën në sheriatin e Allahut atë që Ai nuk e ka ligjësuar; duke pretenduar se kjo i afron tek Allahu. Ky, pa dyshim, është rrezik i madh dhe një kundërshtim ndaj Zotit Fuqiplotë dhe ndaj të Dërguarit të Tij ﷺ. Zoti Fuqiplotë ua ka përkryer robërve të Vet fenë dhe ua ka përsosur mirësinë hyjnore, dhe i Dërguari, -sal-lallahu alejhi ue sel-lem!-, e ka kryer kumtimin e qartë. Ai nuk ka lënë asnjë rrugë që të çon në xhenet dhe të largon nga zjarri, pa e sqaruar për umetin, siç është vërtetuar në hadithin e saktë nga Abdullahu ibn Amr, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë: "Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ:

«مَا بَعَثَ اللهُ مِن نَبِيٍ إِلَّا كَانَ حَقًّا عَلَيهِ أَن يَدُلَّ أُمَّتَهُ عَلَى خَيرِ مَا يَعْلَمُهُ لَهُم، وَيُنْذِرَهُمْ شَرَّ مَا يَعْلَمُهُ لَهُمْ».

'Nuk ka dërguar Allahu asnjë profet, veçse e kishte për  detyrë që ta udhëzonte umetin e tij drejt më të mirës që dinte për ta, dhe t’i paralajmëronte nga më e keqja që dinte për ta.'" E shënon Muslimi në "Sahihun" e tij.

Është e ditur se Pejgamberi ynë ﷺ është më i miri i profetëve dhe vula e tyre, dhe më i përsosuri në kumtim dhe këshillim. Po të ishte festimi i mevludit prej ritualeve të fesë që Allahu i Madhëruar e pëlqen, do t'ia kishte sqaruar umetit i Dërguari ﷺ, ose do ta kishte bërë vetë gjatë jetës së tij, ose do ta kishin bërë shokët e tij, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. E meqë asgjë nga këto nuk ka ndodhur, kuptohet se mevludi nuk është aspak prej Islamit; përkundrazi, është prej risive të shpikura, nga të cilat i Dërguari ﷺ e ka paralajmëruar umetin e tij, siç u përmend në hadithet e mësipërme. Ajetet dhe hadithet në këtë kontekst janë të shumta.

Një grup dijetarësh e kanë deklaruar hapur kundërshtimin e mevludeve dhe kanë paralajmëruar prej tyre, bazuar në argumentet e lartpërmendura dhe të tjera. Ndërsa disa nga të mëvonshmit kanë vepruar ndryshe: ata i lejuan ato nëse nuk përmbajnë asgjë të keqe; si ekzagjerimi ndaj Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!), përzierja e grave me burrat, përdorimi i veglave të muzikës, e të tjera të kësaj natyre që i ndalon sheriati i pastër; dhe menduan se mevludet janë prej bidateve të mira.

Parimi sheriatik është: t’i referohemi Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ, në çdo çështje për të cilën njerëzit kanë mosmarrëveshje, ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar:

﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ أَطِيعُواْ ٱللَّهَ وَأَطِيعُواْ ٱلرَّسُولَ وَأُوْلِي ٱلۡأَمۡرِ مِنكُمۡۖ فَإِن تَنَٰزَعۡتُمۡ فِي شَيۡءٖ فَرُدُّوهُ إِلَى ٱللَّهِ وَٱلرَّسُولِ إِن كُنتُمۡ تُؤۡمِنُونَ بِٱللَّهِ وَٱلۡيَوۡمِ ٱلۡأٓخِرِۚ ذَٰلِكَ خَيۡرٞ وَأَحۡسَنُ تَأۡوِيلًا59﴾

"O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur." (En Nisa, 59) Allahu i Lartësuar thotë:

﴿وَمَا ٱخۡتَلَفۡتُمۡ فِيهِ مِن شَيۡءٖ فَحُكۡمُهُۥٓ إِلَى ٱللَّهِ ...﴾

"Për çfarëdo gjëje që ju të keni mospajtime, gjykimi për të i përket Allahut ..." (Esh Shura, 10)

Ne e kthyem këtë çështje, që është: festimi i mevludeve, te Libri i madhëruar i Allahut dhe e gjetëm se ai na urdhëron ta pasojmë të Dërguarin e Allahut ﷺ në atë që solli, na paralajmëron nga ajo që e ndaloi, dhe na njofton se Allahu i Lartësuar e ka përsosur për këtë umet fenë e tij. Ndërkohë, ky festim nuk bën pjesë në atë që solli i Dërguari i Allahut ﷺ; rrjedhimisht, nuk është nga feja që Allahu na e ka përsosur dhe na ka urdhëruar ta pasojmë të Dërguarin në të.

Po ashtu e kthyem këtë çështje te suneti i Profetit (paqja qoftë mbi të); dhe nuk gjetëm se ai e ka bërë, as që ka urdhëruar për të, e as që e kanë bërë shokët e tij (kënaqësia e Allahut qoftë mbi ta). Kështu kuptuam se kjo nuk është prej fesë, por është prej risive të shpikura dhe prej përngjasimit me hebrenjtë dhe të krishterët në festat e tyre.

Me këtë bëhet e qartë për çdo njeri që ka sadopak vetëdije dhe dëshirë për të vërtetën, si dhe paanshmëri në kërkimin e saj: se festimi i mevludeve nuk bën pjesë në fenë islame; përkundrazi, është prej bidateve (risive) të shpikura, të cilat Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij ﷺ kanë urdhëruar të braktisen dhe të kihet kujdes prej tyre. Nuk i takon të mençurit të mashtrohet nga numri i madh i atyre që e bëjnë atë në të gjitha viset; sepse e vërteta nuk njihet me numrin e shumtë të atyre që e bëjnë, por njihet me argumentet sheriatike, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar për hebrenjtë dhe të krishterët:

﴿وَقَالُواْ لَن يَدۡخُلَ ٱلۡجَنَّةَ إِلَّا مَن كَانَ هُودًا أَوۡ نَصَٰرَىٰۗ تِلۡكَ أَمَانِيُّهُمۡۗ قُلۡ هَاتُواْ بُرۡهَٰنَكُمۡ إِن كُنتُمۡ صَٰدِقِينَ111﴾

"Ata thonë: 'Askush nuk do të hyjë në Xhenet, përveç hebrenjve ose të krishterëve'. Këto janë dëshirat e tyre boshe! Thuaju (o Muhamed): 'Nëse është e vërtetë ajo që thoni, atëherë sillni provën tuaj!'" (El Bekare, 111) Allahu i Lartësuar thotë:

﴿وَإِنْ تُطِعْ أَكْثَرَ مَنْ فِي الْأَرْضِ يُضِلُّوكَ عَنْ سَبِيلِ اللَّهِ...﴾

"Nëse i bindesh shumicës së njerëzve që gjenden në tokë, ata do të të shmangin nga rruga e Allahut..." (El Enam, 116)

Për më tepër, shumica e këtyre festimeve të mevludeve, ndonëse janë risi, nuk shpëtojnë pa u përfshirë në to edhe të këqija të tjera; si p.sh. përzierja e grave me burrat, përdorimi i këngëve dhe veglave muzikore, pirja e pijeve dehëse dhe përdorimi i narkotikëve, e të tjera ligësi. Mund të ketë në të edhe gjëra më të rënda se kaq si, është shirku i madh kur ata e ekzagjerojnë në lidhje me madhërimin e të Dërguarit të Allahut ﷺ ose në lidhje me të tjerë prej evliave, duke i lutur ata, duke u kërkuar atyre ndihmë, duke u kërkuar mbështetje, duke besuar se ata e dinë të fshehtën, dhe të tjera të ngjashme prej çështjeve të kufrit që shumë njerëz i bëjnë kur festojnë datëlindjen e Pejgamberit ﷺ dhe datëlindjet e të tjerëve që i quajnë evlià. Është vërtetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ se ka thënë:

«إِيَّاكُم وَالغُلُوُّ فِي الدِّينِ، فَإِنَّمَا أَهْلَكَ مَن كَانَ قَبْلَكُم الغُلُوَّ فِي الدِّينِ».

"Ruhuni nga ekstremizmi në fe, sepse pikërisht ekstremizmi në fe i shkatërroi ata që ishin para jush." Po ashtu Profeti ﷺ ka thënë:

«لَا تُطْرُونِي كَمَا أَطْرَتِ النَّصَارَى ابْنَ مَرْيَمَ، إِنَّمَا أَنَا عَبدٌ، فَقُولُوا: عَبدُ اللهِ وَرَسُولُه».

"Mos e teproni duke më lavdëruar ashtu siç e kanë tepruar të krishterët me (Isain) të birin e Merjemes. Vërtet unë jam vetëm rob i Tij, andaj thoni (për mua): 'Rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.'" E shënon Buhariu në "Sahihun", e tij, nga hadithi i Umerit, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Ndër gjërat e çuditshme dhe të habitshme është se shumë njerëz tregojnë zell e përpjekje për të marrë pjesë në këto festime të shpikura – bidate –, madje i mbrojnë ato, ndërsa lënë pas dore atë që Allahu ua ka bërë detyrë: pjesëmarrjen në namazin e xhumasë dhe në namazet me xhemat; nuk i kushtojnë kësaj asnjë rëndësi dhe nuk e shohin se kanë bërë ndonjë të keqe të madhe. S’ka dyshim se kjo vjen nga dobësia e besimit, mungesa e qartësisë, dhe nga shumëçka që u ka mbuluar zemrat prej llojeve të ndryshme të mëkateve dhe mosbindjeve. I kërkojmë Allahut mirësi e mbrojtje për ne dhe për mbarë muslimanët!

Pjesë e gjërave të çuditshme është se disa mendojnë se Profeti ﷺ merr pjesë në mevlud; prandaj ngrihen në këmbë për të, duke e përshëndetur e duke i uruar mirëseardhjen. Kjo është nga të pavërtetat më të mëdha dhe nga padituria më e shëmtuar, sepse Profeti ﷺ nuk del nga varri i tij para Ditës së Kiametit, nuk komunikon me askënd prej njerëzve dhe nuk merr pjesë në tubimet e tyre; përkundrazi, ai qëndron në varrin e tij deri në Ditën e Kiametit, ndërsa shpirti i tij është në vendin më të lartë të Ilijjinit, pranë Zotit të tij, në Banesën e Nderimit, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

﴿ثُمَّ إِنَّكُمْ بَعْدَ ذَلِكَ لَمَيِّتُونَ15 ثُمَّ إِنَّكُمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ تُبْعَثُونَ16﴾

"Mandej, pas kësaj ju do të vdisni,

pastaj, ju me siguri që do të ringjalleni në Ditën e Kiametit." (El Muminun, 15, 16)

Po ashtu Profeti ﷺ ka thënë:

«أَنَا أَوَّلُ مَنْ يَنْشَقُّ عَنْهُ القَبْرُ يَومَ القِيَامَةِ، وَأَنَا أَوَّلُ شَافِعٍ، وَأَوًّلُ مُشَفَّعٍ».

"Unë jam i pari që do t’i çahet varri Ditën e Kiametit; unë jam i pari ndërmjetësues dhe i pari që do t’i pranohet ndërmjetësimi." Paqja dhe bekimet me të mira nga Zoti i tij qofshin mbi të!

Këto dy ajete fisnike, hadithi profetik, si dhe të gjitha ajetet dhe hadithet e tjera që janë në këtë kontekst: të gjitha tregojnë se Profeti ﷺ dhe të tjerët prej të vdekurve do të dalin nga varret e tyre vetëm Ditën e Kiametit. Kjo është çështje e pranuar unanimisht ndër dijetarët muslimanë dhe në lidhje me të nuk ka asnjë mospajtim mes tyre. Duhet që çdo musliman t’u kushtojë kujdes këtyre çështjeve dhe të ruhet nga risitë dhe besëtytnitë që i kanë shpikur injorantët dhe soji i tyre, për të cilat Allahu nuk ka zbritur asnjë argument. Allahu është Ai që i kërkohet ndihmë, dhe tek Ai është mbështetja dhe nuk ka fuqi e as forcë veçse me Të.

Sa i përket dërgimit të salavateve dhe selameve mbi të Dërguarin e Allahut ﷺ, kjo është prej adhurimeve më të vlefshme dhe prej veprave të mira, ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

﴿إِنَّ ٱللَّهَ وَمَلَٰٓئِكَتَهُۥ يُصَلُّونَ عَلَى ٱلنَّبِيِّۚ يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ صَلُّواْ عَلَيۡهِ وَسَلِّمُواْ تَسۡلِيمًا56﴾

"Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me selam!" (El Ahzab, 56) Profeti ﷺ ka thënë:

«مَنْ صَلَّى عَلَيَّ وَاحِدَةً؛ صَلَّى اللهُ عَلَيهِ بِهَا عَشْرًا».

"Ai që dërgon salavate për mua një herë, Allahu do të dërgojë salavate (do ta lavërojë) për të dhjetë herë." Dërgimi i salavateve është i ligjshëm në të gjitha kohët, por më i theksuar është në fund të çdo namazi, madje sipas një grupi dijetarësh, në teshehhudin e fundit të çdo namazi është i detyrueshëm. Sunetësia e tij bëhet më e theksuar në rrethana të ndryshme, si: pas ezanit, kur përmendet Pejgamberi ﷺ, dhe në ditën e xhuma dhe natën e saj, siç dëshmojnë për këtë hadithe të shumta.

Allahut i lutemi që të na japë sukses neve dhe gjithë muslimanëve në kuptimin e fesë së Tij dhe qëndrueshmërinë në të, dhe t’u dhurojë të gjithëve përqafimin e Sunetit dhe ruajtjen nga bidati. Padyshim Ai është Dhënës dhe Bujar.

Salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!

 

 

***

 


بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ

Broshura e gjashtë:

Dispozita e festimit të Natës së Israsë dhe Miraxhit.

Çdo lavdërim i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet ia dërgojmë të Dërguarit të Allahut, familjes dhe shokëve të tij.

Nuk ka dyshim se Israja dhe Miraxhi janë prej shenjave madhore të Allahut, që dëshmojnë për vërtetësinë e të Dërguarit të Tij, Muhamedit -sal-lallahu alejhi ue sel-lem!-, dhe për madhështinë e pozitës së tij pranë Allahut të Madhërishëm; po ashtu, ato janë ndër dëshmitë për fuqinë e jashtëzakonshme të Allahut dhe për Lartësinë e Tij mbi tërë krijesat e Tij. Allahu i Madhërishëm thotë:

﴿سُبۡحَٰنَ ٱلَّذِيٓ أَسۡرَىٰ بِعَبۡدِهِۦ لَيۡلٗا مِّنَ ٱلۡمَسۡجِدِ ٱلۡحَرَامِ إِلَى ٱلۡمَسۡجِدِ ٱلۡأَقۡصَا ٱلَّذِي بَٰرَكۡنَا حَوۡلَهُۥ لِنُرِيَهُۥ مِنۡ ءَايَٰتِنَآۚ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلۡبَصِيرُ1﴾

"I lavdëruar qoftë Ai që e bëri robin e Tij (Muhamedin) të udhëtojë natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jerusalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë." (El Isra, 1)

Është përcjellë nga burime të shumta nga i Dërguari ﷺ se ai u ngrit në qiej, dhe iu hapën dyert e tyre derisa kaloi qiellin e shtatë. Atëherë Zoti i tij, i Lartësuar qoftë Ai, i foli ashtu siç deshi, dhe i bëri obligim faljen e pesë namazeve. Allahu i Lartësuar fillimisht i kishte bërë obligim pesëdhjetë namaze, por Profeti ynë Muhamed ﷺ vazhdimisht i drejtohej Atij duke i kërkuar lehtësim, derisa i uli në pesë. Kështu, ato janë pesë sa i takon detyrës dhe pesëdhjetë sa i takon shpërblimit sepse vepra e mirë shpërblehet me dhjetëfishin e saj. Prandaj, vetëm Allahut i takojnë lavdërimi dhe falënderimi për të gjitha begatitë e Tij.

Specifikimi i kësaj nate në të cilën ndodhën Israja dhe Miraxhi, nuk është cekur në hadithet e sakta, as në muajin Rexheb e as në ndonjë muaj tjetër. Çdo gjë që përmendet në lidhje me specifikimin e saj nuk është e vërtetuar nga Profeti ﷺ, sipas dijetarëve të hadithit. Allahu i Lartësuar ka urtësinë e Tij të përsosur në faktin që ua ka bërë njerëzve ta harrojnë atë. Edhe sikur të ishte vërtetuar përcaktimi i saj, nuk do t’u lejohej muslimanëve ta veçonin me ndonjë adhurim, e as ta festonin atë natë; sepse Profeti ﷺ dhe shokët e tij – Allahu qoftë i kënaqur me ta – nuk e kanë festuar dhe nuk e kanë veçuar me asgjë. Po të ishte kremtimi i saj i ligjshëm, Profeti ﷺ do ta kishte sqaruar për umetin: qoftë me fjalë, qoftë me vepër. Dhe po të kishte ndodhur diçka nga kjo, do të ishte bërë e njohur dhe e përhapur, dhe shokët e Profetit ﷺ – Allahu qoftë i kënaqur me ta – do ta kishin transmetuar deri te ne, sepse ata kanë transmetuar nga Profeti i tyre ﷺ çdo gjë që i nevojitet umetit dhe nuk kanë lënë pas dore asgjë nga feja; përkundrazi, ata janë të parët në çdo të mirë. Prandaj, po të ishte i ligjshëm kremtimi i kësaj nate, ata do të kishin qenë të parët që do ta bënin. Profeti ﷺ është këshilluesi më i sinqertë për njerëzit, ai e përcolli mesazhin në mënyrën më të plotë dhe e kreu amanetin. Sikur madhërimi i kësaj nate dhe festimi i saj të ishte prej fesë së Allahut, Profeti ﷺ nuk do ta linte pas dore dhe nuk do ta fshihte. Meqë nuk ndodhi asgjë prej kësaj, u bë e qartë se festimi apo madhërimi i saj nuk janë aspak prej Islamit. Allahu i Lartësuar këtij ummeti ia ka përsosur fenë dhe ia ka plotësuar mirësinë, dhe e ka qortuar atë që shpik në fe atë që Allahu nuk e ka lejuar. Për këtë i Lartësuari në Librin e Tij të qartë ka thënë:

﴿...ٱلۡيَوۡمَ أَكۡمَلۡتُ لَكُمۡ دِينَكُمۡ وَأَتۡمَمۡتُ عَلَيۡكُمۡ نِعۡمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ ٱلۡإِسۡلَٰمَ دِينٗا...﴾

"Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj." (El Maide, 3) Po ashtu Zoti i Lartmadhërishëm tha:

﴿أَمۡ لَهُمۡ شُرَكَٰٓؤُاْ شَرَعُواْ لَهُم مِّنَ ٱلدِّينِ مَا لَمۡ يَأۡذَنۢ بِهِ ٱللَّهُۚ وَلَوۡلَا كَلِمَةُ ٱلۡفَصۡلِ لَقُضِيَ بَيۡنَهُمۡۗ وَإِنَّ ٱلظَّٰلِمِينَ لَهُمۡ عَذَابٌ أَلِيمٞ21﴾

"A kanë ata idhuj, të cilët u kanë ligjësuar një fe që nuk e ka lejuar Allahu?! Sikur të mos kishte qenë fjala e vendimit të mëparshëm, ata do të ishin gjykuar menjëherë. Për keqbërësit është përgatitur një dënim i dhembshëm." (Esh Shura, 21)

Është vërtetuar nga Profeti ﷺ në hadithet e sakta paralajmërimi nga bidatet dhe sqarimi i qartë se bidati është devijim, këtë Profeti (paqja qoftë mbi të) e bëri për t’ia tërhequr vërejtjen umetit mbi madhësinë e rrezikut të tyre dhe për t’i larguar ata nga kryerja e tyre. Një nga këto hadithe është dhe hadithi i saktë që është cekur në dy Sahihët nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të), se Profeti ﷺ se ka thënë:

«مَنْ أَحْدَثَ فِي أَمْرِنَا هَذَا مَا لَيْسَ مِنْهُ؛ فَهُوَ رَدٌّ».

"Kushdo që shpik në çështjen (fenë) tonë diçka që nuk është e saj, ajo gjë është e refuzuar." Në një transmetim të Muslimit thuhet:

«مَنْ عَمِلَ عَمَلًا لَيْسَ عَلَيهِ أَمْرَنَا؛ فَهُوَ رَدٌّ».

"Kushdo që bën ndonjë vepër që nuk është në përputhje me çështjen (fenë) tonë, ajo (vepër) është e refuzuar." Muslimi shënon në "Sahihun" e tij, nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut ﷺ thoshte në hutben e tij ditën e xhumasë:

«أَمَا بَعْدَ، فَإِنَّ خَيرَ الحَدِيثِ كِتَابُ اللهِ، وَخَيرَ الهَدْيِ هَدْيُ مُحَمَّدٍ ﷺ، وَشَرَّ الأُمُورِ مُحْدَثَاتُهَا، وَكُلَّ بِدْعَةٍ ضَلَالَةٌ».

"Vërtet fjala më e mirë është Libri i Allahut, dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit ﷺ, kurse gjërat më të këqija janë gjërat e shpikura dhe bidatet (risitë) në fe, dhe çdo bidat është devijim." Nesaiu ka tansmetuar një shtesë me zinxhir të mirë transmetimi:

«وَكُلَّ ضَلَالَةٍ فِي النَّارِ».

"Dhe çdo humbje të shpie në zjarr." Në librat e suneneve transmetohet nga Irbad ibn Sarije (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: "I Dërguari i Allahut ﷺ na këshilloi me një këshillë drithëruese, prej së cilës zemrat u tronditën dhe sytë u përlotën. Atëherë ne i thamë: 'O i Dërguari i Allahut, këto fjalë po na duken sikur janë këshillë lamtumirëse, ndaj na porosit!' Ai tha:

«أُوصِيكُم بِتَقْوَى اللهِ وَالسَّمعِ وَالطَّاعَةِ وَإِنْ تَأَمَّرَ عَلَيكُم عَبدٌ، فَإِنَّهُ مَنْ يَعِشْ مِنْكُم فَسَيَرَى اخْتِلَافًا كَثِيرًا، فَعَلَيكُم بِسُنَّتِي وَسُنَّةِ الخلُفَاءِ الرَّاشِدِينَ المَهْدِيِّينَ مِنْ بَعْدِي، تَمَسَّكُوا بِهَا وَعَضُّوا عَلَيْهَا بِالنَّوَاجِذِ، وَإِيَّاكُم وَمُحْدَثَاتِ الأُمُورِ، فَإِنَّ كُلَّ مُحْدَثَةٍ بِدْعَةٍ وَكُلَّ بِدْعَةٍ ضَلَالَةٌ».

'Ju porosis të keni frikë Allahun dhe të jeni të dëgjueshëm e të bindur, edhe nëse ju bëhet prijës ndonjë rob, sepse ai që jeton më gjatë nga ju do të shohë kundërshti të shumta. Andaj kapuni fort pas traditës sime dhe traditës së kalifëve të drejtë e të përudhur pas meje, shtrëngojeni me dhëmballë, dhe ruhuni nga gjërat e shpikura, sepse çdo gjë e shpikur është bidat dhe çdo bidat është lajthitje.'" Hadithet në këtë kontekst janë të shumta.

Është vërtetuar nga shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ, dhe nga selefët e drejtë pas tyre se kanë paralajmëruar dhe frikësuar nga bidatet (risitë) në fe sepse ato janë shtesë në fe dhe një legjislacion fetar që Allahu nuk e ka lejuar, si edhe përngjasim me armiqtë e Allahut prej hebrenjve dhe të krishterëve në shtesat që ata bënë në fenë e tyre dhe në shpikjen e gjërave që Allahu nuk i ka lejuar, dhe sepse pasoja e tyre e pashmangshme është nënvlerësimi i fesë islame dhe akuzimi i saj për mosplotësim. Dihet se në këtë ka prishje të madhe dhe ligësi të shëmtuar, si dhe përplasje me Fjalën e Allahut të Madhërishëm:

﴿...ٱلۡيَوۡمَ أَكۡمَلۡتُ لَكُمۡ دِينَكُمۡ...﴾

"Sot jua përsosa fenë tuaj" (El Maide, 3) Dhe kundërshtimi i qartë i haditheve të Profetit ﷺ që paralajmërojnë nga bidatet (risitë) në fe dhe që i bëjnë ato të urryeshme.

Shpresoj që ato që përmendëm prej argumenteve të jenë të mjaftueshme dhe bindëse për kërkuesin e së vërtetës në hedhjen poshtë të këtij bidati, d.m.th.: bidatit të festimit të Natës së Israsë dhe Miraxhit, dhe në tërheqjen e vërejtjes prej tij, dhe se ai nuk është aspak prej fesë islame.

Për shkak se Allahu e ka bërë detyrë këshillimin për muslimanët, sqarimin e çështjeve që u ka ligjësuar Allahu në fe dhe ndalimin e fshehjes së diturisë, e pashë të udhës t’u tërheq vërejtjen vëllezërve të mi muslimanë për këtë bidat (në fe), i cili është përhapur në shumë vise, saqë disa njerëz e konsiderojnë pjesë të fesë.

Allahut i lutemi që ta përmirësojë gjendjen e të gjithë muslimanëve, t’u japë atyre aftësinë e të kuptuarit në fe, dhe të na japë sukses neve dhe atyre për t’u kapur fort pas së vërtetës dhe për të qëndruar në të, si dhe për të lënë atë që bie ndesh me të. Allahu është i Plotfuqishëm ta bëjë të mundur një gjë të tillë.

Salavatet, selamet dhe bekimet qofshin për robin dhe të Dërguarin e Tij, Profetin tonë, Muhamedin, familjen dhe shokët e tij!

 

 

***

 


بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ

Broshura e shtatë:

Gjykimi mbi festimin e Natës së mesit të muajit të Shabanit.

Falënderimi i takon Allahut, i Cili na e përsosi fenë dhe na e plotësoi mirësinë, dhe salavatet dhe selamet qofshin për Profetin dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin, Profetin e pendimit dhe të mëshirës.

Allahu i Lartësuar thotë:

﴿...ٱلۡيَوۡمَ أَكۡمَلۡتُ لَكُمۡ دِينَكُمۡ وَأَتۡمَمۡتُ عَلَيۡكُمۡ نِعۡمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ ٱلۡإِسۡلَٰمَ دِينٗا...﴾

"Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj." (El Maide, 3) Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë:

﴿أَمۡ لَهُمۡ شُرَكَٰٓؤُاْ شَرَعُواْ لَهُم مِّنَ ٱلدِّينِ مَا لَمۡ يَأۡذَنۢ بِهِ ٱللَّهُ...﴾

"A kanë ata idhuj, të cilët u kanë caktuar një fe që nuk e ka lejuar Allahu?!" (Esh Shura, 21), Në dy Sahihët, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë:

«مَنْ أَحْدَثَ فِي أَمْرِنَا هَذَا مَا لَيْسَ مِنْهُ؛ فَهُوَ رَدٌّ».

"Kushdo që shpik në çështjen (fenë) tonë diçka që nuk është prej saj, ajo gjë është e refuzuar." Muslimi e shënon në "Sahihun" e tij hadithin që e përcjell Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti ﷺ zakonisht thoshte në hutben e xhumasë:

«أَمَّا بَعْدُ: فَإِنَّ خَيرَ الحَدِيثِ كِتَابُ اللهِ، وَخَيرَ الهَدْيِ هَدْيُ مُحَمَّدٍ صَلَّى اللهُ عَلَيهِ وَسَلَّمَ، وَشَرَّ الأُمُورِ مُحْدَثَاتُهَا، وَكُلَّ بِدْعَةٍ ضَلَالَةٌ».

"Vërtet, fjala më e mirë është Libri i Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Profetit Muhamed ﷺ, ndërsa më të këqijat e çështjeve janë risitë (bidatet), dhe çdo bidat është devijim." Ajetet dhe hadithet në këtë kuptim janë të shumta, dhe ato dëshmojnë qartazi se Zoti i Lartmadhëruar e përkreu fenë e këtij ummeti dhe e përsosi mbi të mirësinë hyjnore, dhe Ai nuk e mori nga kjo botë Profetin e Tij, -sal-lallahu alejhi ue sel-lem!-, veçse pasi ai e përcolli mesazhin e qartë dhe ia sqaroi umetit gjithçka që Zoti i ka ligjësuar atij prej fjalëve e veprave. Profeti ﷺ e sqaroi qartë se çdo gjë që njerëzit e shpikin pas tij dhe ia atribuojnë fesë islame, qoftë fjalë apo vepër, është bidat që do t’i refuzohet vepruesit të saj, edhe nëse qëllimi i tij është i mirë. Këtë çështje e kanë ditur shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), dhe po ashtu edhe dijetarët e Islamit pas tyre; prandaj i kanë kundërshtuar bidatet dhe kanë paralajmëruar prej tyre, ashtu siç e kanë përmendur të gjithë ata që kanë shkruar për madhërimin e Sunetit dhe kundërshtimin e bidatit; si Ibn Uedah, Turtushi, Ebu Shameh, e të tjerë.

Ndër bidatet që i kanë shpikur disa njerëz është: bidati i festimit të Natës së mesit të Shabanit dhe veçimi i ditës së saj me agjërim. Për këtë nuk ka argument mbi të cilin lejohet të mbështetemi. Për vlerën e saj kanë ardhur hadithe të dobëta, në të cilat nuk lejohet të mbështetemi.

Sa i përket haditheve që janë transmetuar për vlerën e namazit në të, të gjitha janë të sajuara, sikurse kanë tërhequr vërejtjen për këtë shumë prej dijetarëve. Dhe, nëse do Allahu, do t'i përmendim disa prej fjalëve të tyre.

Në këtë çështje janë përcjellë gjithashtu transmetime nga disa selefë të Shamit e të tjerë.

Ajo mbi të cilën është rënë dakord nga shumica e dijetarëve është se festimi i saj është bidat, dhe se hadithet që përcillen për vlerën e saj janë të gjitha të dobëta, e disa prej tyre të trilluara. Ndër ata që e kanë vënë në dukje këtë është Hafidh Ibën Rexhebi, në librin e tij: (Lataif el-Ma'arif), po ashtu dhe disa të tjerë. Dihet se hadithet e dobëta praktikohen vetëm në ato adhurime të cilave u është vërtetuar origjina me argumente të sakta. Sa i përket festimit të Natës së mesit të Shabanit, ai nuk ka asnjë bazë të saktë që të përkrahet qoftë edhe me hadithe të dobëta. Këtë parim të vyer e ka përmendur imami Ebu’l-Abbas Shejhul-Islam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë.

Lexues i nderuar, unë po të përcjell atë që kanë thënë disa prej dijetarëve lidhur me këtë çështje, në mënyrë që të jesh i qartë rreth saj.

Ka konsensus te dijetarët — Allahu i mëshiroftë — se është detyrë që çështjet për të cilat njerëzit kanë mospajtime të kthehen te Libri i Allahut dhe te Suneti i të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe cilido të jetë gjykimi i të dyve apo i njërit prej tyre, ai është dhe ligji islam që detyrimisht duhet të pasohet, e çfarë bie ndesh me këto dy burime duhet të refuzohet. Ndërsa adhurimet që nuk janë cekur në to, janë bidat dhe nuk është e lejuar të bëhen, e aq më tepër të thirret në to dhe të përkrahen. Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar ka thënë:

﴿يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ أَطِيعُواْ ٱللَّهَ وَأَطِيعُواْ ٱلرَّسُولَ وَأُوْلِي ٱلۡأَمۡرِ مِنكُمۡۖ فَإِن تَنَٰزَعۡتُمۡ فِي شَيۡءٖ فَرُدُّوهُ إِلَى ٱللَّهِ وَٱلرَّسُولِ إِن كُنتُمۡ تُؤۡمِنُونَ بِٱللَّهِ وَٱلۡيَوۡمِ ٱلۡأٓخِرِۚ ذَٰلِكَ خَيۡرٞ وَأَحۡسَنُ تَأۡوِيلًا59﴾

"O besimtarë! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur." (En Nisa, 59) Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë:

﴿وَمَا ٱخۡتَلَفۡتُمۡ فِيهِ مِن شَيۡءٖ فَحُكۡمُهُۥٓ إِلَى ٱللَّهِ...﴾

"Për çfarëdo gjëje që ju të polemizoni, gjykimi i saj është tek Allahu..." (Esh Shura, 10) Allahu i Lartësuar thotë:

﴿قُلۡ إِن كُنتُمۡ تُحِبُّونَ ٱللَّهَ فَٱتَّبِعُونِي يُحۡبِبۡكُمُ ٱللَّهُ وَيَغۡفِرۡ لَكُمۡ ذُنُوبَكُمۡ...﴾

"Thuaju (o Muhamed): 'Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet...'" (Al Imran, 31) Gjithashtu, Allahu i Madhërishëm thotë:

﴿فَلَا وَرَبِّكَ لَا يُؤۡمِنُونَ حَتَّىٰ يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ بَيۡنَهُمۡ ثُمَّ لَا يَجِدُواْ فِيٓ أَنفُسِهِمۡ حَرَجٗا مِّمَّا قَضَيۡتَ وَيُسَلِّمُواْ تَسۡلِيمٗا65﴾

"Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht." (En Nisa, 65) Ajetet në këtë kontekst janë të shumta, ato janë argument i prerë për obligimin e kthimit të çështjeve për të cilat ka mosmarrëveshje te Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Allahut ﷺ, si dhe për obligimin e kënaqjes me gjykimin e tyre. Kjo është ajo që e kërkon besimi, dhe kjo është më e mira për robërit në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe përfundimi i saj është më i miri.

Hafidh ibn Rexhebi (Allahu e pastë mëshiruar!), në librin e tij: "Lataif el-me'arif", lidhur me këtë çështje – pas fjalëve paraprake – shprehet:

"Sa i përket natës së mesit të Shabanit, tabiinët nga banorët e Shamit, si Halid ibn Ma‘dan, Mekhul, Lukman ibn Amir e të tjerë, e madhëronin dhe i përkushtoheshin adhurimit gjatë saj. Prej tyre njerëzit mësuan rreth vlerës dhe madhërimit të kësaj nate. Është thënë se atyre u kishin arritur, lidhur me këtë, rrëfime israilijate. E kur u përhap mendimi i tyre nëpër qytete, njerëzit u ndanë në mendime për këtë. Disa e pranuan mendimin e tyre dhe u pajtuan me ta në madhërimin e saj; ndër të cilët ishte edhe një grup prej adhuruesve të devotshëm nga njerëzit e Basrës dhe të tjerë. Ndërsa shumica e dijetarëve të Hixhazit e refuzuan këtë gjë. Prej tyre ishte dhe Ibën Ebi Mulejke. Këtë mendim e ka cituar Abdurrahman ibën Zejd ibën Eslem nga juristët e Medinës, dhe ky është mendimi i nxënësve të Malikut dhe i disa të tjerëve. Ata thanë: "E gjitha kjo është bidat."

Dijetarët e Shamit kanë dy mendime të ndryshme lidhur me mënyrën e adhurimit në të:

Mendimi i parë: është e pëlqyeshme që ajo të kalohet në adhurim në mënyrë kolektive në xhami. Halid ibn Me’dani, Lukman ibn Amiri dhe  disa dijetarë të tjerë vishnin rrobat e tyre më të mira, përdornin temjan dhe lyheshin me surmë, dhe e kalonin atë natë në namaz në xhami. Po ashtu dhe Is’hak ibn Rah'uejh ishte i këtij mendimi. Sa i përket faljes gjatë kësaj nate në xhami me xhemat, ai (Is'hak ibn Rah'uejhi) ka thënë: "Kjo nuk është bidat." Këtë e ka transmetuar Harb el-Kirmani në “Mesail”.

Mendimi i dytë: është i papëlqyeshëm tubimi gjatë kësaj nate, në xhami, për namaz, këshilla dhe lutje. Por nuk ka asgjë të keqe që njeriu të falet në këtë natë në mënyrë individuale. Ky është mendimi i Euzaiut, imamit të banorëve të Sham-it, juristit dhe dijetarit të tyre, dhe ky është mendimi më afërt me të vërtetën, në dashtë Allahu i Lartësuar." Mandej Ibn Rexhebi vazhdon dhe thotë: Nuk njihet ndonjë fjalë e imam Ahmedit lidhur me natën e mesit të Sha‘banit. Ndërsa lidhur me pëlqyeshmërinë e faljes së namazit të natës në të, prej tij mund të nxirren dy përfundime, duke u bazuar në dy transmetimet prej tij për faljen e namazit të natës në dy netët e Bajrameve; sipas një transmetimi nga ai, ai nuk e ka pëlqyer namazin e natës, në natën e bajramit të falet në xhemat, ngase një gjë e tillë nuk është transmetuar nga Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij. Dhe sipas një transmetimi tjetër ai e ka pëlqyer për shkak se Abdurrahman ibn Jezid ibn el-Esved i cili ishte nga brezi i tabiinëve e ka vepruar këtë. Lidhur me namazin e natës së mesit të Sha’banit nuk është vërtetuar asgjë nga Profeti ﷺ e as nga shokët e tij, por është vërtetuar nga një grup tabiinësh, nga juristë të shquar të Shamit."

Këto ishin fjalët e hafidh Ibn Rexhebit, Allahu e mëshiroftë, në to ai e shpreh qartë se nuk është vërtetuar asgjë nga Profeti ﷺ e as nga shokët e tij, Allahu qoftë i kënaqur me ta, lidhur me natën e mesit të muajit të Shabanit.

Sa i përket preferencës së Euzait (Allahu e pastë mëshiruar!) se është e pëlqyeshme që namazi në të, të falet në mënyrë individuale dhe preferencës hafidh Ibn Rexhebit për këtë mendim, themi se ky mendim është i panjohur dhe i dobët, ngase çdo gjë që nuk vërtetohet me argumente fetare se është e ligjshme (me Kuran dhe Sunet), nuk i lejohet muslimanit ta shpikë në fenë e Allahut, është njësoj si ta bëjë në mënyrë individuale apo kolektive, në vetmi apo në publik, për shkak të përgjithshmërisë së fjalës së Profetit ﷺ:

«مَنْ عَمِلَ عَمَلًا لَيْسَ عَلَيهِ أَمْرُنَا؛ فَهُوَ رَدٌّ».

"Kushdo që bën ndonjë vepër që nuk është në përputhje me çështjen (fenë) tonë, ajo (vepër) është e refuzuar." Dhe të tjera prej argumenteve që tregojnë për refuzimin e bidateve (risive) dhe paralajmërimin kundër tyre.

Imami Ebu Bekr Turtushi (Allahu e mëshiroftë!), në librin e tij: "El-havadithu uel-bideu'", shprehet:

Ka transmetuar Ibn Veddah nga Zejd ibn Eslem, i cili ka thënë: Ne nuk kemi hasur asnjë prej hoxhallarëve tanë e as prej dijetarëve tanë të fikhut që t’i kushtonte rëndësi natës së mesit të Shabanit, as që t’i kushtonte rëndësi hadithit të Mekhulit, dhe nuk e shihnin se ajo kishte ndonjë vlerë të veçantë mbi netët e tjera."

Dikush i tha Ibn Ebi Mulejkës: "Zijad en-Numejri thotë: 'Vërtet, shpërblimi i Natës së mesit të Shabanit është si shpërblimi i Natës së Kadrit.'" Ai tha: "Po ta dëgjoja dhe të kisha një shkop në dorë, do ta godisja." Zijadi ishte predikues. Këto ishin fjalët e Ebu Bekër Turtushit.

Dijetari i madh, Sheukani (Allahu e pastë mëshiruar!), në librin: "El-Fevaid el mexhmuah", shprehet:

Hadithi: "O Ali, atij që fal njëqind rekate në natën e mesit të Shabanit, duke lexuar në çdo rekat Fatiha-n  dhe "Kul huvallahu ehad" dhjetë herë, Allahu do t’ia plotësojë çdo nevojë..." Ky hadith është i shpikur (ar. meudu). Shpërblimi i cekur në tekstin e tij që i premtohet atij që e fal këtë namaz dëshmon për pavërtetësinë e këtij hadithi. Kushdo që e njeh shkencën e hadithit nuk dyshon se ky hadith është i shpikur. Transmetuesit e tij janë të panjohur. Është transmetuar edhe përmes një rruge të dytë e të tretë, por të gjitha  janë të shpikura, dhe transmetuesit e tyre janë të panjohur. Në librin "el-Muhtasar" ka thënë: "Hadithi i namazit të gjysmës së Shabanit është i pavlefshëm. Ndërsa hadithi i Ibn Hibbanit, që e përcjell nga Aliu: 'Kur të jetë nata e gjysmës së Shabanit, qëndroni në namaz gjatë saj dhe agjëroni ditën e saj' është hadith i dobët." Në librin "el-Leali" ka thënë: "Njëqind rekate në natën e mesit të Shabanit, duke e lexuar suren ‘Ihlas’ dhjetë herë", me gjithë përshkrimin e gjatë të vlerave të tij, e shënojnë Dejlemiu dhe të tjerë, është hadith i shpikur dhe shumica e transmetuesve të tij në tre rrugët (zinxhirët) janë të panjohur e të dobët" Po ashtu ka thënë: Hadithi "Dhe dymbëdhjetë rekate duke e kënduar suren El-Ihlas tridhjetë herë." Është hadith i sajuar. Po ashtu me tekstin: "Dhe katërmbëdhjetë rekate." Është i sajuar.

Me këtë hadith u mashtrua një grup prej dijetarëve të fikhut, si autori i (Ihjaut) e të tjerë, ashtu edhe disa prej komentatorëve të Kuranit. Namazi i kësaj nate — nata e mesit të Shabanit — është transmetuar në forma të ndryshme, por të gjitha janë të pavërteta dhe të sajuara. Kjo nuk bie ndesh me transmetimin e Tirmidhiut nga hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) që flet për shkuarjen e Pejgamberit në varrezat e Bekisë, dhe as me zbritjen e Zotit të Lartësuar (ashtu siç i takon madhërisë së Tij) natën e mesit të Shabanit në qiellin e kësaj bote, e as me faktin se Ai fal më shumë se numri i qimeve të dhenve të fisit Kelb, sepse këtu bëhet fjalë vetëm për këtë falje (namaz) të sajuar në këtë natë. Ndonëse, hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) është i dobët dhe me shkëputje në zinxhir. Po ashtu, hadithi i Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të!) që u përmend më herët rreth namazit të kësaj nate, nuk e kundërshton faktin se ky namaz është i sajuar, edhe pse ai vetë ka dobësi, sikurse e përmendëm atje. (këtu përfundon citati nga libri "El-Leali)

Hafidh el Irakiu ka thënë: "Hadithi i namazit të natës së mesit të Shabanit është i sajuar ndaj të Dërguarit të Allahut dhe është gënjeshtër ndaj tij." Imam Neveviu ka thënë në librin (el-Mexhmu‘): "Namazi i njohur si Namazi i Regaibit, që është dymbëdhjetë rekate mes akshamit dhe jacisë, natën e xhumasë së parë të Rexhebit, dhe namazi i natës së mesit të Shabanit me njëqind rekate: këto dy namaze janë bidate të urryera. Mos u mashtro nga përmendja e tyre në librat (Kutul-kulub) dhe (Ihja Ulumid-Din), e as nga hadithi i përmendur në to, sepse e tëra kjo është e pavërtetë. Mos u mashtro as nga ndonjëri prej imamëve tek i cili nuk ka e ka pasur të qartë gjykimin mbi to dhe ka shkruar disa faqe duke i konsideruar të pëlqyeshme, sepse pa dyshim ai ka gabuar në këtë."

Shejhu, imami, Ebu Muhamed Abdur-Rrahman ibn Ismail el-Makdisi, ka shkruar një libër të vyer mbi pavërtetësinë e këtyre dy namazeve dhe e ka trajtuar çështjen me përsosmëri e mjeshtëri. Fjalët e dijetarëve rreth kësaj çështjeje janë tejet të shumta. E sikur të fillonim t’i sillnim të gjitha ato që kemi parë nga fjalët e tyre në këtë çështje, do të na zgjatej diskutimi. Shpresoj që ajo që përmendëm të jetë e mjaftueshme dhe bindëse për kërkuesin e së vërtetës.

Përmes ajeteve, haditheve dhe fjalëve të dijetarëve të përmendura më sipër, i bëhet e qartë kërkuesit të së vërtetës se festimi i Natës së mesit të Sha’banit me namaz ose me adhurime të tjera, dhe specifikimi i ditës së saj me agjërim, është një bidat i keq sipas shumicës së dijetarëve. Një gjë e tillë nuk ka asnjë bazë në Sheriatin e pastër. Përkundrazi, ajo është prej gjërave që u shfaqën në Islam pas kohës së sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Dhe kërkuesit të së vërtetës i mjafton, në këtë çështje dhe në të tjera, Fjala e Allahut të Lartmadhëruar:

﴿...ٱلۡيَوۡمَ أَكۡمَلۡتُ لَكُمۡ دِينَكُمۡ...﴾

"Sot jua përsosa fenë tuaj" (El Maide, 3) Dhe ajetet e tjera që janë shpallur në këtë kontekst, si edhe fjala e Pejgamberit ﷺ:

«مَنْ أَحْدَثَ فِي أَمْرِنَا هَذَا مَا لَيْسَ مِنْهُ فَهُوَ رَدٌّ».

"Kushdo që shpik në çështjen (fenë) tonë diçka që nuk është prej saj, ajo gjë është e refuzuar." Si dhe hadithet e tjera që janë transmetuar në këtë kontekst.

Në Sahihun e Muslimit, Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

«لَا تَخُصُّوا لَيْلَةَ الْجُمُعَةِ بِقِيَامٍ مِنْ بَيْنِ اللَّيَالِي، وَلَا تَخُصُّوا يَوْمَهَا بِالصِّيَامِ مِنْ بَيْنِ الْأَيَّامِ، إِلَّا أَنْ يَكُونَ فِي صَوْمٍ يَصُومُهُ أَحَدُكُمْ».

"Mos veçoni natën e xhumasë me namaz nga netët e tjera, e as mos e veçoni ditën e xhuma me agjërim nga ditët e tjera, përveç nëse përkon me një agjërim që ndokush prej jush e mban (rregullisht)." Sikur të ishte i lejuar veçimi i ndonjë nate me ndonjë lloj adhurimi, nata e së premtes do të ishte më e denjë se të tjerat; sepse dita e saj është dita më e mirë në të cilën lind dielli, sipas haditheve të sakta nga Profeti ﷺ. Meqë Profeti ﷺ paralajmëroi kundër veçimit të kësaj nate me namaz ndër netët e tjera, kjo tregon se veçimi i netëve të tjera me ndonjë formë të caktuar të adhurimit është akoma më e palejueshme. Me përjashtim kur ekziston argumenti i saktë që dëshmon për veçimin e ndonjë nate apo dite.

E meqenëse në Natën e Kadrit dhe në netët e Ramazanit është i ligjësuar namazi i natës dhe përkushtimi në to, Profeti ﷺ e tërhoqi vëmendjen umetit dhe e inkurajoi për faljen natën dhe ai vetë e zbatoi këtë siç transmetohet në dy Sahihët nga Profeti ﷺ se ka thënë:

«مَنْ قَامَ رَمَضَانَ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا، غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ، وَمَنْ قَامَ لَيْلَةَ الْقَدْرِ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا، غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ».

"Atij që falet në Ramazan, duke besuar dhe shpresuar në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës. Dhe atij që falet Natën e Kadrit, duke besuar dhe shpresuar në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës." Po të ishte e ligjshme që Nata e mesit të Shabanit, nata e xhumasë së parë të Rexhebit, ose Nata e Israsë dhe e Mi’raxhit të veçohej me kremtim ose me ndonjë akt adhurimi, Profeti ﷺ do ta kishte udhëzuar umetin për këtë, ose do ta kishte bërë vetë. E sikur të kishte ndodhur diçka e tillë, shokët e tij – Allahu qoftë i kënaqur me ta – do t'ia kishin transmetuar umetit dhe nuk do ta kishin mbajtur të fshehtë, sepse ata janë më të mirët e njerëzve dhe këshilltarët më të sinqertë të njerëzve pas pejgamberëve, paqja qoftë mbi ta. Allahu qoftë i kënaqur me shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe i bëftë të kënaqur.

E mësuam më lart nga fjalët e dijetarëve se nuk është vërtetuar nga Profeti ﷺ, e as nga shokët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta), asgjë rreth vlerës së natës së të premtes së parë të muajit Rexhep, e as rreth natës së mesit të muajit Shaban. Prandaj kuptohet se festimi i tyre është risi e shpikur në Islam. Po ashtu, veçimi i tyre me ndonjë adhurim të caktuar është risi e qortueshme. Po kështu edhe nata e 27‑të e muajit Rexheb, që disa njerëz besojnë se është Nata e Israsë dhe Miraxhit, nuk lejohet të veçohet me ndonjë adhurim, ashtu siç nuk lejohet të festohet, për shkak të argumenteve të përmendura më sipër. Kjo, nëse do të supozonim se ajo natë dihet se kur është, e çfarë mund të themi kur mendimi më i saktë në këtë çështje është se ajo natë nuk dihet se kur është saktësisht?! Thënia e atyre që thonë se ajo është nata e 27-të e muajit Rexheb është thënie e pavlefshme, pa asnjë bazë në hadithet e sakta, dhe me të vërtetë mirë ka thënë ai që ka thënë:

"Më të mirat e çështjeve janë ato të hershmet në udhëzim... ndërsa më të këqijat e çështjeve janë të shpikurat, bidatet (risitë) në fe."

Allahut i lutemi të na japë sukses neve dhe mbarë muslimanëve për t’u kapur pas Sunnetit dhe për të qëndruar të palëkundur në të, dhe të na ruaj nga çdo gjë që e kundërshton atë. Padyshim Ai është Dhënës dhe Bujar.

Salavatet dhe selamet qofshin për robin dhe të Dërguarin e Tij, Profetin tonë, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij!

 

***

 


بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ

Broshura e tetë:

Paralajmërim i rëndësishëm lidhur me gënjeshtrën e testamentit që i atribuohet

Shejh Ahmedit, shërbëtorit të Haremit të Nderuar Profetik.

Nga Abdulaziz ibn Abdullah ibn Bazi, për këdo prej muslimanëve që e lexon. Allahu i ruajtë me Islamin dhe na mbrojtë neve dhe ata nga e keqja e sajimeve të injorantëve të ulët. Amin.

Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!

Kam hasur një shkrim që i atribuohet shejh Ahmedit, shërbëtorit të Haremit të Nderuar Profetik, me titull: «Testament nga Medina e Ndriçuar, prej shejh Ahmedit, shërbëtorit të Haremit të Nderuar Profetik», në të ai thotë:

Natën e xhuma po rrija zgjuar duke recituar Kur’anin Fisnik, dhe pasi recitova Emrat e bukur të Allahut (Esmaul-Husna) dhe u bëra gati të bie në gjumë, pashë të hijshmin, të Dërguarin e Allahut ﷺ, i cili u dërgua me ajetet kuranore dhe ligjet fisnike si mëshirë për botët, i nderuari ynë Muhamedi ﷺ. Ai tha: ‘O shejh Ahmed.’ Unë thashë: ‘Në shërbimin tënd, o i Dërguari i Allahut, o më i nderuari i krijesave të Allahut,’ Më tha: "Më vjen turp nga veprat e shëmtuara të njerëzve dhe nuk mund të përballem me Zotin tim e as melekët, sepse nga e premtja në të premte vdiqën njëqind e gjashtëdhjetë mijë njerëz, jo në fenë islame." Pastaj përmendi disa prej mëkateve në të cilat kanë rënë njerëzit. Më pas tha: "Kjo porosi është mëshirë për ta nga i Githëfuqishmi, Fuqiploti" Më pas përmendi disa nga Shenjat e Kiametit, dhe tha: "Njoftoji, o shejh Ahmed, për këtë porosi, sepse ajo është përcjellë me penën e kaderit nga Leuhi Mahfudh. Kush e shkruan dhe e dërgon nga një vend në tjetrin dhe nga një vendbanim në tjetrin, i ndërtohet një pallat në Xhenet, e kush nuk e shkruan dhe nuk e dërgon, i ndalohet ndërmjetësimi im Ditën e Kiametit. Kush e shkruan këtë dhe është i varfër, Allahu e pasuron, nëse është i borxhli, Allahu ia shlyen borxhin, nëse ka bërë ndonjë mëkat, Allahu e fal atë dhe prindërit e tij, me bereqetin e kësaj porosie. E kush nga robërit e Allahut nuk e shkruan atë, do t’i nxihet fytyra në këtë jetë dhe në jetën tjetër." Shejh Ahmedi tha: "Pasha All-llahun e Madhërishëm, tri herë, kjo është e vërtetë. Nëse jam gënjeshtar, dalsha nga kjo botë jo si musliman. E kush e beson këtë, shpëton nga dënimi i zjarrit të Xhehennemit, e kush e përgënjeshtron atë, ka dalë nga feja."

Kjo është përmbledhja e asaj që përmban testamenti i trilluar ndaj të Dërguarit të Allahut ﷺ. Këtë testament të trilluar e kemi dëgjuar shumë herë që prej shumë vitesh, ai përhapet ndër njerëz herë pas here dhe promovohet shumë midis popullit të thjeshtë, ndërsa në formulimet e tij ka ndryshime. Sajuesi i këtij testamenti thotë se e ka parë Profetin ﷺ në gjumë dhe e ka ngarkuar me këtë testament. Në  fletushkën të fundit që e cituam më lart, shpifësi ka pretenduar se e ka parë Profetin ﷺ kur po përgatitej për të rënë në gjumë. Pra, kuptimi i kësaj është se e ka parë Profetin ﷺ zgjuar!

Ky shpifës ka pretenduar në këtë testament shumë gjëra, të cilat janë nga gënjeshtrat më të qarta dhe nga të pavërtetat më të dukshme. Së shpejti do të njoftoj për to në këtë shkrim, nëse do Allahu. Madje, në vitet e kaluara u kam tërhequr vëmendjen lidhur me to dhe ua kam sqaruar njerëzve se ato janë disa nga gënjeshtrat më të qarta dhe nga të pavërtetat më të dukshme. Kur u njoha me versionin e fundit të kësaj fletushke, hezitova të shkruaj rreth saj, për shkak të qartësisë së pavërtetësisë së saj dhe guximit të madh të shpifësit për të gënjyer. Nuk mendoja se pavërtetësia e saj do të gjente jehonë tek ai njeri që ka sado pak vetëdije, ose natyrë të pastër. Mirëpo shumë prej vëllezërve më njoftuan se ajo është përhapur midis shumë njerëzve, dhe se ata e kanë futur në qarkullim ndërmjet tyre dhe disa prej tyre madje e kanë besuar si të vërtetë, andaj gjykova që njerëzit si unë e kanë për detyrë të shkruajnë rreth saj, për të sqaruar se është e pavërtetë dhe se është shpifje ndaj Profetit ﷺ, që askush të mos mashtrohet prej saj. Kush e shqyrton me vëmendje atë, nga njerëzit e besimit dhe të diturisë, ose nga ata me natyrë të pastër dhe arsye të shëndoshë, e kupton se është gënjeshtër dhe shpifje nga shumë këndvështrime.

Unë kam pyetur disa të afërm të shejh Ahmedit, të cilit i atribuohej kjo shpifje, rreth këtij testamenti dhe njëri prej tyre m’u përgjigj se ajo është e trilluar në emër të shejh Ahmedit, dhe se ai nuk e ka thënë kurrsesi. Shejh Ahmedi i lartpërmendur ka ndërruar jetë prej kohësh. Edhe sikur të supozojmë se shejh Ahmedi i lartpërmendur, ose ndonjë më i madh se ai, ka pretenduar se e ka parë Profetin ﷺ në gjumë apo i zgjuar dhe se ai e ka porositur me këtë porosi, do ta dinim me siguri të plotë se ai është gënjeshtar, ose se ai që ia tha këtë ishte thjesht një shejtan, e jo Profeti ﷺ, për shumë arsye, disa nga të cilat janë:

Së pari: Profeti ﷺ nuk shihet në gjendje zgjimi pas vdekjes së tij ﷺ. E kush nga injorantët e sufive pretendon se e sheh Profetin ﷺ në gjendje zgjimi, ose se ai merr pjesë në mevlud, apo gjëra të ngjashme me këto, ai ka bërë gabimin më të shëmtuar, është mashtruar në shkallën më të lartë, ka rënë në një gabim të madh dhe ka kundërshtuar Librin e Allahut, Sunetin dhe ixhmanë e dijetarëve, sepse të vdekurit dalin prej varreve vetëm në Ditën e Kiametit, e jo në këtë botë. E kushdo që thotë të kundërtën e kësaj, është gënjeshtar i hapur, ose gabimtar i cili është ngatërruar dhe nuk ka arritur të njohë të vërtetën që e kanë njohur selefët e mirë, në të cilën kanë ecur shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe pasuesit e tyre me mirësi. Allahu i Lartësuar thotë:

﴿ثُمَّ إِنَّكُم بَعۡدَ ذَٰلِكَ لَمَيِّتُونَ15 ثُمَّ إِنَّكُمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ تُبْعَثُونَ16﴾

"Mandej, pas kësaj ju do të vdisni,

pastaj, ju me siguri që do të ringjalleni në Ditën e Kiametit." (El Muminun, 15, 16) Profeti ﷺ ka thënë:

«أَنَا أَوَّلُ مَنْ تَنْشَقُّ عَنْهُ الْأَرْضُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ، وَأَنَا أَوَّلُ شَافِعٍ وَأَوَّلُ مُشَفَّعٍ».

"Unë jam i pari për të cilin do të çahet toka Ditën e Kiametit, dhe unë jam i pari ndërmjetësues dhe i pari, të cilit do t’i pranohet ndërmjetësimi." Ajetet dhe hadithet që kanë këtë kuptim janë të shumta.

E dyta: se Profeti ﷺ nuk thotë gjë të kundërt me të vërtetën, as gjatë jetës së tij e as pas vdekjes së tij. Ndërsa ky testament bie ndesh haptazi me sheriatin e tij, dhe kjo nga shumë aspekte — siç do të ceket më poshtë. Profeti ﷺ mund të shihet në gjumë. Dhe kush e sheh Profetin ﷺ në ëndërr në pamjen e tij të nderuar, vërtet e ka parë, sepse shejtani nuk mund të marrë pamjen e tij, siç ceket në hadithin e saktë. Mirëpo thelbi i tërë çështjes lidhet me besimin e ëndërrimtarit, sinqeritetin, besueshmërisë, përpikmërinë, devotshmërinë dhe besnikërinë e tij, si edhe nëse e ka parë Profetin ﷺ në pamjen e tij të vërtetë apo në ndonjë pamje tjetër.

Edhe po të vinte nga Profeti ﷺ një hadith që ai e ka thënë gjatë jetës së tij, por që nuk ka ardhur përmes transmetuesve të besueshëm, të drejtë dhe të saktë (të fortë në kujtesë), ai nuk do të merrej për bazë dhe nuk do të argumentoheshim me të, ose të vijë përmes transmetuesve të besueshëm e të saktë, por të bjerë ndesh me transmetimin e atij që është më i fortë në kujtesë se transmetuesit e tij dhe më i besueshëm, dhe ky kundërshtim është i atillë që nuk lejon pajtimin ndërmjet dy transmetimeve, atëherë njëri prej tyre do të ishte i shfuqizuar, i pavlefshëm për t'u vepruar, ndërsa tjetri shfuqizues, i vlefshëm për t'u vepruar. E nëse nuk është i mundur as pajtimi e as shfuqizimi, atëherë detyrimisht hidhet poshtë transmetimi i atij që ka kujtesë më të dobët dhe besueshmëri më të ulët, dhe transmetimi i tij kalsifikohet si i papranueshëm dhe i pavlefshëm për t'u vepruar.

E ç'mund të themi për një testament, kur nuk njihet ai që e ka transmetuar atë nga Profeti ﷺ dhe nuk njihet besueshmëria e besnikëria e tij? Në këtë gjendje, ai është për t’u hedhur poshtë dhe të mos i kushtohet asnjë vëmendje, edhe sikur të mos kishte në të diçka që bie ndesh me Sheriatin. E ç’duhet thënë kur testamenti përmban shumë elementë që tregojnë pavlefshmërinë e tij dhe se është i trilluar ndaj të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe se përfshin ligjësimin e një feje që Allahu nuk e ka lejuar?!

Pejgamberi ﷺ ka thënë:

«مَنْ قَالَ عَلَيَّ مَا لَمْ أَقُلْ؛ فَلْيَتَـبَوَّأْ مَقْعَدَهُ مِنَ النَّارِ».

"Ai që thotë për mua atë që nuk e kam thënë, le ta përgatisë ulësen e tij në Zjarr." Sajuesi i këtij testamenti i ka atribuar të Dërguarit të Allahut ﷺ atë që ai nuk e ka thënë, dhe ka gënjyer kundër tij me një gënjeshtër të qartë e të rëndë. Sa shumë e meriton ai këtë kërcënim të rëndë, e sa i denjë është për të, nëse nuk nxiton të pendohet dhe të bëjë të ditur ndër njerëz gënjeshtrën e kësaj porosie ndaj të Dërguarit të Allahut ﷺ, sepse kushdo që përhap të pavërteta ndër njerëz dhe ia atribuon ato fesë, pendimi i tij nuk është i vlefshëm veçse me shpalljen dhe shfaqjen e pendimit të tij, derisa njerëzit të dinë se ai është tërhequr nga gënjeshtra e tij dhe e ka përgënjeshtruar veten. Bazuar në fjalën e Allahut të Madhërishëm:  

﴿إِنَّ ٱلَّذِينَ يَكۡتُمُونَ مَآ أَنزَلۡنَا مِنَ ٱلۡبَيِّنَٰتِ وَٱلۡهُدَىٰ مِنۢ بَعۡدِ مَا بَيَّنَّٰهُ لِلنَّاسِ فِي ٱلۡكِتَٰبِ أُوْلَٰٓئِكَ يَلۡعَنُهُمُ ٱللَّهُ وَيَلۡعَنُهُمُ ٱللَّٰعِنُونَ159 إِلَّا ٱلَّذِينَ تَابُواْ وَأَصۡلَحُواْ وَبَيَّنُواْ فَأُوْلَٰٓئِكَ أَتُوبُ عَلَيۡهِمۡ وَأَنَا ٱلتَّوَّابُ ٱلرَّحِيمُ160﴾

"Me të vërtetë, ata që fshehin faktet dhe udhëzimin që kemi shpallur, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër (Teurat), do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga ata (engjëj e njerëz) që janë ngarkuar të mallkojnë.

Përveç atyre që pendohen, përmirësohen dhe e tregojnë atë që kishin fshehur, Unë ua pranoj pendimin, sepse Unë jam Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti." (El Bekare, 159-160) Pra, Zoti i Lartmadhëruar e ka bërë të qartë në këtë ajet fisnik se ai që fsheh diçka nga e vërteta, pendimi i tij nuk i pranohet veçse pasi përmirësohet dhe të japë sqarime. Zoti Fuqiplotë ua ka përkryer robërve të Tij fenë dhe ua ka përsosur mirësinë hyjnore me dërgimin e Profetit Muhamed, -sal-lallahu alejhi ue sel-lem!-, dhe me legjislacionin e përkryer që ia shpalli atij duke mos e marrë pranë Vetes vetëm pasi feja u plotësua dhe pasi u sqaruan gjërat. Siç ka thënë Zoti i Lartmadhëruar:

﴿...ٱلۡيَوۡمَ أَكۡمَلۡتُ لَكُمۡ دِينَكُمۡ وَأَتۡمَمۡتُ عَلَيۡكُمۡ نِعۡمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ ٱلۡإِسۡلَٰمَ دِينٗا...﴾

"Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj." (El Maide, 3)

Trilluesi i kësaj porosie ka dalë në shekullin e katërmbëdhjetë, duke dashur t’i mashtrojë njerëzit me një fe të re, nëpërmjet së cilës hyjnë në xhenet ata që i përmbahen ligjeve të këtij testamenti, dhe privohen nga xheneti dhe hyjnë në zjarr ata që nuk i përmbahen atyre ligjeve. Dhe dëshiron ta konsiderojë këtë testament, që e ka sajuar, më të madh e më të vlefshëm se Kurani, me fjalët e trilluara: "kush e shkruan dhe e dërgon nga një vend në një tjetër, ose nga një vendbanim në një tjetër; do t’i ndërtohet një pallat në xhenet, e kush nuk e shkruan dhe nuk e dërgon, do t’i ndalohet ndërmjetësimi i Profetit (paqja qoftë mbi të!) në Ditën e Kiametit.!" Kjo është prej gënjeshtrave më të shëmtuara dhe prej dëshmive më të qarta se kjo porosi është e rreme, si dhe dëshmon për paturpësinë e trilluesit të saj dhe guximin e tij të madh për të gënjyer, ngase ai që e shkruan Kuranin dhe e dërgon nga një vend në një tjetër, apo nga një vendbanim në një tjetër, nuk e fiton këtë shpërblim nëse nuk vepron sipas Kuranit, e si do ta fitojë atë shkruajtësi i kësaj shpifjeje dhe përcjellësi i saj nga njëri vend në tjetrin!? Kush nuk e ka shkruar Kuranin dhe nuk e ka dërguar nga një vend në tjetrin, nuk privohet nga ndërmjetësimi i Profetit ﷺ, nëse e beson Profetin ﷺ dhe është ndjekës i sheriatit të tij. Kjo shpifje e vetme në këtë testament mjafton për të treguar pavlefshmërinë e tij dhe se ai që e përhap është gënjeshtar, si edhe për të dëshmuar paturpësinë, marrëzinë dhe largësinë e tij nga njohja e udhëzimit të cilin e solli i Dërguari ﷺ.

Në këtë porosi — përveç asaj që u përmend — ka edhe çështje të tjera, të gjitha dëshmojnë për pavërtetësinë dhe trillimin e saj edhe sikur shpifësi i saj të bënte be një mijë herë a më shumë për vërtetësinë e saj, edhe sikur të mallkonte veten me dënimin më të madh e me ndëshkimin më të rëndë, duke pohuar se është i sinqertë, ai nuk do të ishte i sinqertë dhe ajo nuk do të ishte e saktë. Përkundrazi, pasha Allahun dhe pasha Allahun, ajo është një nga të pavërtetat më të mëdha e më të shëmtuara. Dhe ne e bëjmë dëshmitar Allahun e Lartësuar dhe engjëjt që janë të pranishëm si dhe të gjithë muslimanët që e lexojnë këtë shkrim — dëshmi me të cilën do ta takojmë Zotin tonë të Madhëruar—: se kjo porosi është gënjeshtër dhe shpifje ndaj të Dërguarit të Allahut ﷺ. Allahu e poshtëroftë atë që e trilloi dhe e trajtoftë siç e meriton.

Për trillimin e këtij testamenti dhe për pavërtetësinë e tij, përveç asaj që u përmend më parë, dëshmojnë edhe shumë gjëra nga vetë teksti i saj i cituar, prej tyre:

E para: fjalët e trilluesit: "Sepse nga xhumaja në xhuma kanë vdekur njëqind e gjashtëdhjetë mijë njerëz, jo në fenë islame" Ky pretendim bën pjesë në dijen e të fshehtës. Ndërsa të Dërguarit ﷺ, pas vdekjes së tij, i është ndërprerë shpallja dhe ai, edhe kur ishte gjallë, nuk e dinte të fshehtën, e si e ditka atë pas vdekjes! Allahu i Madhëruar thotë:

﴿قُل لَّآ أَقُولُ لَكُمۡ عِندِي خَزَآئِنُ ٱللَّهِ وَلَآ أَعۡلَمُ ٱلۡغَيۡبَ...﴾

"Thuaj:'Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të fshehtën'" (El Enam, 50) Po ashtu, fjala e Tij:

﴿قُل لَّا يَعۡلَمُ مَن فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِ ٱلۡغَيۡبَ إِلَّا ٱللَّهُ...﴾

Thuaj: “Askush, përveç Allahut, në qiell apo në Tokë, nuk i di të fshehtat... (En Neml, 65) E në hadithin autentik, Profeti, -sal-lallahu alejhi ue sel-lem!-, thotë:

«يُذَادُ رِجَالٌ عَنْ حَوْضِي يَوْمَ القِيَامَةِ، فَأَقُولُ: يَا رَبِّ! أَصْحَابِي أَصْحَابِي، فَيُقَالُ لِي: إِنَّكَ لَا تَدْرِي مَا أَحْدَثُوا بَعْدَكَ، فَأَقُولُ كَمَا قَالَ العَبْدُ الصَّالِحُ: ﴿وَكُنتُ عَلَيۡهِمۡ شَهِيدٗا مَّا دُمۡتُ فِيهِمۡۖ فَلَمَّا تَوَفَّيۡتَنِي كُنتَ أَنتَ ٱلرَّقِيبَ عَلَيۡهِمۡۚ وَأَنتَ عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٖ شَهِيدٌ [المائدة: 117]».

"Disa njerëz do të dëbohen nga Kroi im Ditën e Kiametit, e unë do të them: 'O Zot! Shokët e mi, shokët e mi!'. Atëherë do të më thuhet: 'Ti nuk e di çfarë kanë vepruar pas teje.' Unë do të them ashtu siç tha robi i mirë: 'Kam qenë dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis tyre dhe, qëkurse më more mua, vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë.'" (El Maide, 117).”

E dyta: Prej çështjeve që tregojnë për pavërtetësinë e kësaj porosie dhe se ajo është gënjeshtër, është thënia në të: (kush e shkruan atë dhe është i varfër, Allahu e pasuron, ose borxhli, Allahu ia shlyen borxhin, ose ka bërë një mëkat, Allahu ia fal atij dhe prindërve të tij me bereqetin e kësaj porosie), e kështu me radhë. Kjo është prej gënjeshtrave më të mëdha dhe prej dëshmive më të qarta për gënjeshtrën e trilluesit të saj, si edhe shenjë e mungesës së turpit të tij ndaj Allahut dhe ndaj robërve të Tij,  sepse këto tri gjëra nuk fitohen as me shkrimin e Kuranit madhështor, e si mund t'i fitojë ai që ka shkruar këtë porosi të pavërtetë?! Ky njeri i lig thjesht dëshiron t’i mashtrojë njerëzit dhe t’ua lidhë shpresat me këtë testament që ta shkruajnë dhe të shpresojnë në këtë shpërblim të trilluar, e të lënë mënjanë shkaqet që Allahu i Lartmadhëruar ua ka ligjësuar robërve të Tij, që të çojnë drejt pasurisë, shlyerjes së borxhit dhe faljes së gjynaheve. Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga shkaqet e poshtërimit dhe nga bindja ndaj epshit dhe djallit.

E treta: prej çështjeve që tregojnë pavërtetësinë e kësaj porosie, është thënia në të: "E kush prej robërve të Allahut nuk e shkruan atë, i nxihet fytyra në këtë botë dhe në botën tjetër." Edhe kjo — gjithashtu — është prej gënjeshtrave më të shëmtuara dhe nga dëshmitë më të qarta për pavlefshmërinë e kësaj porosie dhe gënjeshtrën e trilluesit të saj. Si mund të pranojë një njeri me arsye të shëndoshë ta shkruaj këtë porosi, të cilën e përhapi një burrë i panjohur në shekullin e katërmbëdhjetë, duke shpifur për të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe duke pretenduar se atij që nuk e shkruan i nxihet fytyra në këtë botë dhe në botën tjetër, ndërsa kush e shkruan do të bëhet i pasur nëse është i varfër, do të shpëtojë nga borxhet e grumbulluara dhe do t'i falen të gjitha mëkatet që ka bërë!?

I Lartësuar qoftë Allahu, kjo është shpifje e madhe!! Dhe vërtet argumentet dhe realiteti dëshmojnë për gënjeshtrën e këtij shpifësi, për guximin e tij të madh kundër Allahut dhe për mungesën e turpit të tij para Allahut dhe para njerëzve. Janë shumë popuj që nuk e kanë shkruar atë, e megjithatë fytyrat e tyre nuk u nxinë. Ndërkohë këtu është një turmë madhe njerëzish që nuk i numëron askush përveç Allahut, që e kanë shkruar atë shumë herë, por borxhet e tyre nuk u shlyen dhe varfëria e tyre nuk u zhduk. Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga devijimi i zemrave dhe nga ndryshku i mëkateve. Këto janë cilësi dhe shpërblime që sheriati fisnik nuk i ka cekur as për atë që e shkruan Librin më të mirë dhe më madhështor – Kuranin Famëlartë, e si mund t'i takojnë këto shpërblime atij që ka shkruar një testament të rremë, që përmban lloje të ndryshme të të pavërtetave dhe shprehje të ndryshme të mohimit? I Lartësuar është Allahu!! Sa i butë e i durueshëm është Ai ndaj atyre që guxojnë të trillojnë gënjeshtra në emrin e Tij.

E katërta: Ndër gjërat që dëshmojnë se kjo porosi është më se e pavërtetë dhe gënjeshtër më se e qartë, është thënia në të: (Kush i beson këtij testamenti, shpëton prej dënimit të Zjarrit, e kush e përgënjeshtron atë, ka rënë në kufër). Dhe kjo — po ashtu — është prej guximeve më të mëdha për të gënjyer dhe prej gjërave më të shëmtuara dhe më të pavërteta, ky shpifës i thërret të gjithë njerëzit që ta besojnë shpifjen e tij dhe pretendon se me këtë ata shpëtojnë nga dënimi i Zjarrit, e kush e përgënjeshtron atë, del nga islami! Për Allahun,  ky gënjeshtar ka trilluar në emër të Allahut një gënjeshtër të madhe, dhe për Allahun, ka thënë të pavërtetën. Kush e beson atë, ai është që e meriton të quhet jobesimtar, e jo ai që e përgënjeshtron atë, sepse ajo është shpifje, e pavërtetë dhe gënjeshtër pa asnjë bazë vërtetësie. Dhe ne e marrim Allahun dëshmitar se ajo është gënjeshtër, dhe se shpifësi i saj është gënjeshtar, që dëshiron t’u ligjësojë njerëzve atë që Allahu nuk e ka lejuar, dhe të fusë në fenë e tyre atë që nuk është prej saj. Ndërsa Allahu e ka përkryer fenë dhe e ka plotësuar atë për këtë umet katërmbëdhjetë shekuj para kësaj shpifjeje. Prandaj, bëhuni të vëmendshëm, o lexues dhe vëllezër, bëni kujdes dhe mos i besoni shpifjeve të tilla dhe mos lejoni që ato të kenë jehonë mes jush, sepse e vërteta ka mbi vete një dritë që nuk i mbetet e paqartë atij që e kërkon. Kërkojeni të vërtetën me argumentin e saj dhe pyesni dijetarët për atë që ju mbetet e paqartë. Mos u mashtroni nga betimet e gënjeshtarëve, sepse Iblisi i mallkuar u betua para prindërve tuaj, Ademit dhe Havasë, se ishte këshillues i tyre, ndërsa ai është më i madhi i tradhtarëve dhe më gënjeshtari i gënjeshtarëve, siç na ka treguar Allahu për të, kur tha:

﴿وَقَاسَمَهُمَآ إِنِّي لَكُمَا لَمِنَ ٱلنَّٰصِحِينَ21﴾

"Dhe iu betua atyre (duke thënë): 'Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!'" (El Araf, 21) Prandaj, kini kujdes prej tij dhe kini kujdes edhe nga pasuesit e tij që trillojnë. Sa e sa betime të rreme, premtime të pabesa dhe fjalë të stolisura për joshje e mashtrim bën ai dhe ndjekësit e tij! Sa i përket asaj që ka përmendur ky shpifës lidhur me shfaqjen e ligësive, ky është një realitet i pamohueshëm dhe Kurani fisnik e Suneti i pastër kanë paralajmëruar rreptësisht kundër këtyre ligësive, dhe në to ka udhëzim të mjaftueshëm.

Sa i përket asaj që ka cekur rreth shenjave të Kiametit, hadithet profetike e kanë sqaruar se çfarë do të ndodhë prej shenjave të Kiametit, dhe Kur’ani i Madhërishëm ka aluduar për disa prej tyre. Prandaj, kush dëshiron ta dijë këtë, e gjen në vendin e duhur në librat e Sunetit dhe në veprat e njerëzve të dijes dhe të besimit. Njerëzit nuk kanë nevojë për sqarimet e një shpifësi të tillë, për pështjellimet e tij dhe për përzierjen e së vërtetës me të pavërtetën. Allahu na ruajtë mua, ju dhe mbarë muslimanët nga e keqja e shejtanëve, nga sprovat e atyre që çojnë në humbje, nga shkarjet e të lajthiturve dhe nga pështjellimi i armiqve të Allahut, përhapësve të së pavërtetës, të cilët duan ta shuajnë dritën e Allahut me gojët e tyre dhe t’ua ngatërrojnë njerëzve fenë e tyre. Por Allahu i Lartmadhërishëm e plotëson dritën e Tij dhe e ndihmon fenë e Tij, edhe sikur ta urrejnë këtë gjë armiqtë e Allahut, shejtanët dhe pasuesit e tyre, jobesimtarët dhe ateistët. I lutemi Allahut që të përmirësojë gjendjen e muslimanëve, t’i begatojë me pasimin e së vërtetës dhe qëndrueshmërinë në të, si dhe pendimin te Allahu i Lartësuar prej të gjitha mëkateve! Ai, me të vërtetë, është Pranues i pendimit, Mëshirëplotë dhe i Plotfuqishëm mbi çdo gjë. Na mjafton Allahu, sa Mbrojtës i mirë është Ai! Nuk ka ndryshim dhe forcë veçse nëpërmjet Allahut të Lartë dhe të Madhërishëm!

Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi robin dhe të dërguarin e Tij, i sinqerti, i besueshmi, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi pasuesit e tij me mirësi deri në Ditën e Gjykimit!

 

 

***