PHPWord

 

 

 

 

التَّحْذِيرُ مِنْ بِنَاءِ المَسَاجِدِ

عَلَى القُبُورِ

 

 

Paralajmërimi nga ndërtimi i xhamive mbi varre

 

لِسَمَاحَةِ الشَّيْخِ العَلَّامَةِ

عَبْدِ العَزِيزِ بْنِ عَبْدِ اللهِ بْنِ بَازٍ

رَحِمَهُ اللهُ

 

Autori: Hoxha i nderuar

Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz

 

 

 

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ

Broshura e dhjetë:

Paralajmërimi nga ndërtimi i xhamive mbi varre

Me emrin e Allahut! Çdo lavdërim i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet ia dërgojmë të Dërguarit të Allahut.

Duke lexuar botimin e numrit të tretë të revistës së Lidhjes së Shkencave Islame, në rubrikën (Lajmet e botës islame përgjatë një muaji), mësova se Lidhja e Shkencave Islame në Mbretërinë Hashimite të Jordanisë synon të ndërtojë një xhami mbi shpellën që është zbuluar rishtazi në fshatin er-Ruhejb, për të cilën thuhet se është shpella ku fjetën djelmoshat, të cilët përmenden në Kur’anin Famëlartë.

Duke qenë se këshillimi për Allahun dhe për robërit e Tij është obligim, e pashë të udhës që përmes vetë revistës t’i drejtoj një fjalë Lidhjes së Shkencave Islame në Mbretërinë Hashimite të Jordanisë, e cila përmban një këshillë për "Lidhjen" lidhur me zbatimin e asaj që e ka synuar, ndërtimin e një xhamie mbi shpellën e përmendur. E pashë të udhës ta bëj këtë sepse ndërtimi i xhamive mbi varret e profetëve dhe të njerëzve të mirë dhe mbi gjurmët e tyre është prej gjërave që sheriati i përsosur islam e ndalon dhe paralajmëron prej saj. Si dhe e ka mallkuar këdo që e bën këtë, ngase kjo është nga mjetet që të çojnë në shirk (idhujtari), dhe teprim në raport me profetët dhe njerëzit e mirë. Realiteti dëshmon për vërtetësinë e asaj që ka sjellë ky sheriat dhe dëshmon se ai është prej Allahut të Lartësuar dhe se është një provë e qartë dhe një argument i prerë për vërtetësinë e të Dërguarit të Allahut ﷺ në atë që e solli nga Allahu dhe ua përcolli umetit. Kushdo që vështron gjendjen e botës islame dhe atë që ka ndodhur në të prej shirkut (idhujtarisë) dhe teprimit, për shkak të ndërtimit të xhamive mbi varre, madhërimit të tyre, shtrimit me qilima dhe zbukurimit të tyre, si dhe caktimit të shërbestarëve në to, e di me siguri se këto janë prej shkaqeve që çojnë në shirk, dhe se prej vlerave të Sheriatit Islam është se ai ndalon këto gjëra dhe paralajmëron nga stolisja e tyre. .

Prej haditheve që janë transmetuar lidhur me këtë është ai i Buhariut dhe Muslimit (Allahu i mëshiroftë të dy!), nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e cila tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

«لَعَنَ اللَّهُ الْيَهُودَ وَالنَّصَارَى، اتَّخَذُوا قُبُورَ أَنْبِيَائِهِمْ مَسَاجِدَ، قالَتْ عَائِشَةُ: يُحَذِّرُ مَا صَنَعُوا، قالَتْ: وَلَوْلَا ذَلِكَ لَأُبْرِزَ قَبْرُهُ، غَيْرَ أَنَّهُ خُشِيَ أَنْ يُتَّخَذَ مَسْجِدًا».

"Allahu i mallkoftë hebrenjtë dhe të krishterët të cilët varret e të dërguarve i shndërruan në faltore!" Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha: 'Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) tërhiqte vërejtjen kundër veprimeve të tyre.' Dhe tha: 'Po të mos ishte kjo, varri i tij do të ekspozohej, megjithatë ai kishte frikë mos (varri i tij) shndërrohej në faltore.'" Në dy sahihët gjithashtu transmetohet se Umu Seleme dhe Umu Habibe (Allahu qoftë i kënaqur me to të dyja!) i përmendën të Dërguarit të Allahut ﷺ një kishë që e kishin parë në Abisini dhe pikturat (e frymorëve) që i kishin parë në to. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha:

«أُولَئِكَ إِذَا مَاتَ فِيهِمُ الرَّجُلُ الصَّالِحُ؛ بَنَوْا عَلَى قَبْرِهِ مَسْجِدًا، وَصَوَّرُوا فِيهِ تِلْكَ الصُّوَرَ، أُولَئِكَ شِرَارُ الْخَلْقِ عِنْدَ اللَّهِ».

"Ata, kur u vdes ndonjë burrë i devotshëm, mbi varrin e tij ndërtojnë faltore dhe vizatojnë brenda saj piktura të atilla. Ata janë krijesat më të këqija tek Allahu."

Në koleksionin e haditheve të vërteta të Muslimit shënohet nga Xhundub ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: "Pesë ditë para se të vdiste, e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë:

«إِنِّي أَبْرَأُ إِلَى اللَّهِ أَنْ يَكُونَ لِي مِنْكُمْ خَلِيلٌ، فَإِنَّ اللَّهَ قَدِ اتَّخَذَنِي خَلِيلًا، كَمَا اتَّخَذَ إِبْرَاهِيمَ خَلِيلًا، وَلَوْ كُنْتُ مُتَّخِذًا مِنْ أُمَّتِي خَلِيلًا، لَاتَّخَذْتُ أَبَا بَكْرٍ خَلِيلًا، أَلَا وَإِنَّ مَنْ كَانَ قَبْلَكُمْ كَانُوا يَتَّخِذُونَ قُبُورَ أَنْبِيَائِهِمْ وَصَالِحِيهِمْ مَسَاجِدَ، أَلَا فَلَا تَتَّخِذُوا الْقُبُورَ مَسَاجِدَ، فَإِنِّي أَنْهَاكُمْ عَنْ ذَلِكَ».

'Unë i deklaroj Allahut se nuk kam mik të afërt nga mesi juaj, sepse Allahu më ka zgjedhur mik të afërt, ashtu siç e ka zgjedhur Ibrahimin. Sikur të doja të kisha ndonjë mik të afërt nga umeti im, do të zgjidhja Ebu Bekrin. Dijeni se popujt para jush varret e profetëve të vet dhe të njerëzve të devotshëm i shndërronin në faltore. Prandaj, mos i shndërroni varret në faltore. Unë po ju ndaloj nga një vepër e tillë.'" Hadithet në lidhje me këtë kapitull janë të shumta.

Imamët prej dijetarëve të muslimanëve, nga të katër medhhebet dhe të tjerë, e kanë shprehur qartë ndalimin e ndërtimit të faltoreve mbi varre dhe kanë paralajmëruar nga kjo, duke vepruar sipas Sunnetit të të Dërguarit ﷺ, si këshillë për umetin dhe për ta paralajmëruar atë që të mos bjerë në atë ku ranë ata që jetuan më herët, nga ekstremistët e çifutëve dhe të krishterëve, si edhe të ngjashmit e tyre nga të humburit e këtij umeti.

Është obligim për Lidhjen e Shkencave Islame në Jordani dhe për muslimanët e tjerë të kapen fort pas traditës profetike (sunetit), të ndjekin metodologjinë e imamëve dhe të kenë kujdes nga ato për të cilat kanë paralajmëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij, sepse në këtë qëndron përmirësimi i gjendjes së robërve, lumturia dhe shpëtimi i tyre në këtë botë dhe në botën tjetër. Disa njerëz, në këtë çështje, janë mbështetur te fjala e të Lartmadhëruarit në rrëfimin e banorëve të Shpellës:

﴿...قَالَ ٱلَّذِينَ غَلَبُواْ عَلَىٰٓ أَمۡرِهِمۡ لَنَتَّخِذَنَّ عَلَيۡهِم مَّسۡجِدٗا﴾

"Ata që ishin më të shumtë thanë: 'Ne do të ndërtojmë një faltore mbi ta!"' (El Kehf, 21)

Në përgjigje të kësaj themi: Allahu i Lartësuar na njofton për prijësit dhe zotëruesit e pushtetit të asaj kohë se ata i thanë këto fjalë, dhe kjo nuk është në shenjë kënaqësie dhe miratimi për atë që thanë ata, por në formë qortimi, fajësimi dhe për t’i larguar njerëzit nga sjellja e tyre. Dhe për këtë dëshmon se Profeti ﷺ, të cilit iu zbrit ky ajet dhe i cili është më i dituri ndër njerëz për shpjegimin e tij, e ka ndaluar umetin e tij nga ndërtimi i xhamive mbi varre, i ka paralajmëruar për këtë, dhe i ka mallkuar e i ka qortuar ata që e kanë bërë.

Sikur kjo gjë të ishte e lejuar, Profeti ﷺ nuk do të kishte folur ashpër në lidhje me këtë çështje, madje ai e çoi deri aty ashpërsinë sa e mallkoi atë që e bën dhe lajmëroi se ai është prej krijesave më të këqija tek Allahu i Lartësuar. Kaq mjafton për atë që kërkon të vërtetën. Edhe sikur të supozonim se ndërtimi i faltoreve mbi varre ka qenë i lejuar për ata që ishin para nesh, ne nuk do ta ksihim të lejuar të merrnim shembull prej tyre në këtë çështje, sepse sheriati ynë i ka shfuqizuar sheriatet e mëparshëm, dhe i Dërguari ynë ﷺ është vula e të dërguarve, ndërsa sheriati i tij është i plotë dhe i përgjithshëm. Ai na e ka ndaluar ndërtimin e faltoreve mbi varre, prandaj nuk na lejohet ta kundërshtojmë, por e kemi për detyrë ta pasojmë, t'i përmbahemi fort asaj që ai solli dhe të lëmë mënjanë çdo gjë që bie ndesh me këtë, qoftë nga sheriatet e vjetra, qoftë nga zakonet e pëlqyera tek ata që i kryejnë, ngase nuk ka më të përsosur se sheriati i Allahut dhe as udhëzim më të mirë se udhëzimi i të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Allahut i lutemi të na japë sukses neve dhe të gjithë muslimanëve, të jemi të qëndrueshëm në fenë e Tij, dhe të mbahemi fort pas Sheriatit të Pejgamberit të Tij, Muhamedit – paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të – në fjalë e në vepra, në të jashtmen e në të brendshmen, dhe në të gjitha çështjet derisa ta takojmë Allahun e Madhëruar. Padyshim Ai është Dëgjues dhe i Afërt.

Salavatet dhe selamet qofshin për robin dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe ata që u udhëzuan me udhëzimin e tij deri në ditën e gjykimit!

 

 

***